TIRANE - Ndërsa u bëri thirrje të gjithë kolonjarëve që të marrin pjesë në zgjedhjet e së dielës, për kryetarin e ri të Bashkisë së Kolonjës, kryeministri Edi Rama tha se '20 nëntori është një mundësi e madhe për t'i dhënë një mesazh të qartë dhe të prerë atyre që kanë nderin e madh të përfaqësojnë opozitën në parlament dhe që e çnderojnë misionin e opozitës sa herë hapin gojën".
Duke iu referuar situatës që u krijua të enjten në kuvend, kryeministri Rama tha: "Gjënë më të mirë që PD gjen për të bërë është të bllokojë me dhunë foltoren e parlamentit, sikur është aty vendi për të bërë ndërtimin pa leje të radhës."
Kryeministri u kërkoi socialistëve kolonjarë që të flasin me demokratët dhe tu shpjegojnë atyre se vota për kandidatin e Aleancës për Shqipërinë Europiane Ilia Stefo është me vlerë dyfish, pasi sipas tij, "është zgjedhja më e mirë për Kolonjën dhe mundësi e mirë që opozita shqiptare të zgjohet."