Prishja e krushqisë mes dy të rinjve, dyshohet se është shkaku i shpërthimit të ndodhur mbrëmjen e të martës në Fushë - Krujë. Lajmi konfirmohet nga policia lokale, e cila arrestoi tre persona për shpërthimin. Ata janë 49 -vjeçari Skënder Vathi, autori kryesor i dyshuar, Erjon Tema dhe Erges Duka, të cilët i shihni në këto foto. Ata janë shoqëruar në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Durrësit.
Hetuesit thanë se kanë dokumentuar autorësinë e tre personave mbi shpërthimin e të mërkurës që pati si objektiv biznesin e rrobaqepsisë së Fatlinda Tagës dhe bashkëshortit të saj. Biznesi i tyre ndodhet fare pak metra larg nga vendi ku shpërtheu sasia e tritrolit.
Sipas policisë, prishja e krushqisë mes palëve ka shërbyer si shkak për konfliktin. Hetimet zbuluan se vajza e Skënder Vathit i arrestuar tashmë, ishte fejuar disa muaj më parë me kushëririn e Fatlinda Tagës, pronarja e rrobaqepsisë.
Kjo e fundit kishte shërbyer si shkesë, por hetuesit thonë se me këmbënguljen e saj, fejesa ishte prishur. Pas shpërthimit, policia shoqëroi 16 persona, mes të cilëve edhe tre të dyshuarit. Këta të fundit nuk kanë pranuar, autorësinë e krimit, por policia thotë se prova për përfshirjen e të dyshuarve në shpërthimin që shkaktoi panik në Fushë - Krujë dhe dëmtoi 5 automjete të parkuara.