Report TV - Rama: 540 mln USD buxhetit familjar, sjell rritje të konsumit

2016-10-31 0

Rezultatet e reformave, rritja e pagave dhe pensioneve, rritja e të ardhurave në buxhetin e shtetit si dhe ulja e borxhi publik, ishin kryefjalë e fjalës së kryeministrit Edi Rama në Konferencën Kombëtare të Bankës së Shqipërisë.

Rama theksoi se qeveria ka ndarë për buxhetin familjar rreth 440 milionë dollarë, të cilave u shtohen edhe 100 milionë dollarë nga rritja e pagave dhe pensioneve, kjo duke ulur borxhin publik. Sipas kryeministrit, 540 milionë dollarë për buxhetin e familjeve, do të kenë ndikim në rritjen e konsumit.

"Kemi hyrë në një proces ulje të borxhit publik, dhe keni ndarë nga buxheti i shtetit për buxhetin e familjeve, përmes uljes së tatimit të fitimit mbi të ardhurat personale, jo pak, por 440 milionë dollarë, në katër vjet. Të cilat, shtuar edhe 100 milionë dollarë, që do të shkojnë për rritjen e rrogave dhe pensioneve, bëjnë 540 milionë dollarë, që është fare e thjeshtë të kuptohet, kanë pasur dhe do të kenë një ndikim të drejtpërdrejtë në rritjen e konsumit.

Ndërsa qeveria e kaluar, miratoi vetëm 124 milionë dollarë në 8 vjet, në kushtet e një tatim-fitimi që ishte shumë më i lartë, sidomos për rrogat minimale dhe mesatare, sesa është sot. Me këtë që do të bëjmë duke rritur rrogat e pensionet, nuk jemi më vendi me rrogën minimale e mesatare me të ulët në rajon, ndërkohë që jemi vendi me taksën mbi tatim fitimin më të ulët në rajon", u shpreh Rama.

Free Traffic Exchange