Report TV - "Ngrirja" e Vettingu-t, skenari i PD të shtyjë ligjin pas 2017-ës

2016-10-31 0

Fronti kundër Reformës në Drejtësi në Shqipëri ka marrë dje një trajtë të plotë. Armatës së prokurorëve dhe gjyqtarëve, Partisë Demokratike dhe Presidentit të Republikës, i është bashkuar dje edhe Gjykata Kushtetuese, në kundërvënie të hapur ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gjermanisë, disa vendeve të tjera të BE dhe shumicës së shqiptarëve, të cilët janë pro Reformës në Drejtësi, pro Vetingut dhe përmbysjes së sistemit aktual. Ky front, me anë të Gjykatës Kushtetueses, ka mundësuar dje pezullimin, për një kohë të pacaktuar, të ligjit të Vetingut, duke u dhënë një frymëmarrje, jo vetëm gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar, por edhe politikanëve, të përfshirë në praktika korruptive. Në të njëjtën kohë, linja anti-reformë po arrin të shtyjë Vetingun në kalendat greke, duke pamundësuar edhe zbatimin e ligjeve të tjera prioritare. Frika e gjyqtarëve nga kontrolli i trefishtë dhe risku i largimit nga sistemit ka fituar përkohësisht mbi presion e amerikanëve, të cilët mbajnë vulën dhe autorësinë e hetimit të ligjit të Vetingut. Aktualisht Reforma në Drejtësi ka ngrirë.