http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Policia e Tiranës shoqëroi dy persona dhe shpalli një tjetër në kërkim lidhur me vrasjen e dyshuar të Besnik Pudjas në Shëngjergj të Tiranës. Mbrëmjen e së enjtes policia ndaloi Alges Liçin dhe Dritan Buzon, të cilët paraprakisht akuzohen se nuk denoncuan ngjarjen në polici. Në kërkim u shpall Halit Dusha, i akuzuar për kultivim hashashi së bashku me viktimën. Në njoftimin zyrtar të policisë thuhet se ata kanë qenë bashkë me viktimën, në vendin ku ai kreu vetëvrasje dhe janë larguar pa e raportuar më parë në sallën operative. Madje 19-vjecari Alges Lici është i plagosur me një plumb në shpatull, çka sipas analizave del se bëhet fjalë për të njëjtin plumb që vrau 36-vjecarin. Policia gjeti trupin e pajetë të 36-vjecarit në një magazinë në ndërtim e sipër në zonën e Shëngjergjit. Kjo ka shtuar më shumë dyshimet se objekti mund të përdorej për magazinim hashashi. Këtë e kanë pohuar para oficerëve të Policisë edhe dy të ndaluarit, të cilët thanë se ndodheshin atje, pasi i kishte thirrur Besnik Pudja, për të ndërtuar magazinën, por pa e përcaktuar se për çfarë do të përdorej. Prej vitesh Besnik Pudja jetonte në Angli dhe sipas policisë, ai dyshohej se merrej me trafik të lëndëve narkotike në Tiranë. Në duart e tij policia gjeti mbetje baruti, por sipas analizave të mjekësisë ligjore, ai mori një plumb pas koke.