"Tani nuk kam çfarë të bëj, e vrava gruan time". Kështu mësohet të jetë shprehur para policisë, 56-vjeçari nga Ndroqi, Kasëm Lila. Mbrëmjen e djeshme, ai qëlloi për vdekje bashkëshorten e tij, Afize Lila, 47-vjeç, si dhe plagosi kunatën, Zyra Lila, pas një sherri në familje.
Autori ka pranuar vrasjen e bashkëshortes, ndërsa është mbrojtur se ka pasur për qëllim vetëm ta trembë atë. "Debatuan një natë më parë me Fizen, unë isha në oborr duke zierë rakinë dhe pas disa debateve me fjalë ajo më goditi me një dërrasë. Për të qetësuar debatin, pasdite erdhi dhe kunata pasi ne jetojmë në një çati me vëllain e kunatën dhe djalin e kemi emigrant në Itali. U ndjeva i fyer dhe nga mërzia mora çiften. Nuk doja ta vrisja, por vetëm ta trembja. Por e vrava tani dhe skam ç'të them", ka thënë ai.