Operacion i gjerë antikanabis në shkallë vendi. Policia e Shtetit ka nxjerrë në terren mbi 300 forca policore të angazhuara në disa qarqe të Shqipërisë, nga jugu në veri.
Në orët e para të mëngjesit, forca policore, specialet e FNSH e ekipet e antidrogës u shpërndanë në Shkodër, Vlorë e Gjirokastër. Ditën e djeshme është krehur zona e Krujës ku dhe vijon ende aksioni.
Kurse sot, operacioni është shtrirë përkatësisht në zonat e Dukagjinit, Shkodër, Krujës, Matit, Vlorës në zonën e Lumit të Vlorës, në Gjirokastër në Malësinë e Kurveleshit, Memaliaj dhe Tepelenë. Sipas policisë, vetëm gjatë ditës së parë të këtij aksioni masiv, në 11 operacione janë sekuestruar 1 ton e 273 kg drogë e sekuestruar, ndërsa rreth 8 mijë rrënjë kanabis janë asgjësuar.
Në prangat e policisë kanë rënë 8 persona të dyshuar si posedues të lëndës narkotike, ndërsa 14 persona të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë. Ndërkohë, janë sekuestruar edhe 4 armë zjarri e municione.