Report TV - Shkodër, aksidentohet për vdekje 70-vjeçari, arrestohet shoferi malazez

2016-10-21 0

Një aksident i rëndë ka ndodhur në aksin Shkodër-Hani i Hotit pranë fshatit Grudë-Fushë.

Për pasojë 70-vjeçari Vuksan Preqi ka humbur jetën pasi është përplasur nga një automjet i tonazhit të lartë.

Aksidenti ka ndodhur rreth orës 12:50 të së premtes ndërsa i moshuari ka qenë duke lëvizur në këmbë në anë të autostradës dhe është ndeshur nga kamioni me targa malazeze PG DJ 858.

Edhe pse drejtuesi i kamionit është ndaluar menjëherë për t?i ardhur në ndihmë 70-vjeçarit, ky i fundit ka ndërruar jetë në spitalin e Shkodres për shkak të plagëve të marra në pjesën e kokës.

Në vendngjarje kanë mbërritur edhe efektivët e policisë rrugore si dhe grupi hetimor. Efektivët e policisë kanë shoqëruar drejtuesin e kamionit, malazez V.G, 41 vjeç deri në sqarimin e plotë të rrethanave të aksidentit.

Dyshohet se në momentin e parakalimit, kamioni ka ndeshur të moshuarin i cili më pas është përplasur në asfalt dhe ka humbur jetën. Autostrada Shkodër- Hani i Hotit është kthyer në burim aksidentesh ndërsa numri i viktimave sa vjen e shtohet.