Administrata Publike do të kalojë në një test të përgjithshëm për njohuritë dhe aftësitë në punë. Provimi në rang kombëtar ka filluar për një pjesë prej nëpunësve, teksa do të vijojë i kategorizuar sipas pozicionit të punës.
Të parët që janë duke u testuar, janë sektorët e burimeve njerëzore nëpër institucione, për të vijuar me testimin e asaj pjese të administratës që mbulon çështjet e integrimit. Nëse një punonjës ka një rezultat jo të kënaqshëm, (0-50 pikë në total) atëherë do të duhet t?i nënshtrohet një trajnimi të posaçëm për të përftuar njohuritë e nevojshme. Pas trajnimit shtesë, çdo nëpunës ka mundësinë të testohet 3 herë rresht dhe nëse nuk arrin rezultatin e duhur, atëherë do të duhet të lërë vendin e punës.