Katër të rinj kanë humbur jetën mëngjesin e sotëm në një aksident tragjik të ndodhur rreth orës 04:30 në superstradën Tiranë-Durrës.
Dy automjete janë përplasur kokë më kokë pranë Sukthit, ndërsa viktimat janë 3 vajza dhe 1 djalë.
3 vajzat që humben jetën ishin shoqe dhe udhëtonin në të njëjtin mjet.
Viktimat e këtij aksidenti janë Greta Sherifi nga Saranda, 23 vjeç, e cila drejtonte njërin nga mjetet tip ??Benz? dhe dy shoqet e saj që ndodhedhin në makinë me të, Izabela Balla, 33 vjeç dhe Elona Xhuti, 34 vjeç, banuese në Tiranë. Nga aksidenti mbeti i vdekur edhe Dashnor Delialliasi, 36-vjeç, nga Durrësi, që drejtonte mjetin tjetër, tip benz me targa AA 979GV.
Sipas policisë, shkak për këtë aksident është bërë hyrja në sensin e gabuar të mjetit me drejtues Dashnor Delialliasi, shpejtësia e madhe me të cilën ka qenë duke udhëtuar, me mbi 150 km/orë dhe mungesa e ndriçimit. Mësohet se 36-vjeçari ka udhëtuar në kahun e kundërt të rrugës që nga Ura e Dajlanit dhe ka udhëtuar për mbi 15 km në sens të gabuar.