Tashmë është e sigurt, në zgjedhjet e 2017-ës nuk do të ketë as votim e as numërim elektronik votash. Pavarësisht se Partia Demokratike e ka një ndër kushtet e saj bazë për miratimin e reformës zgjedhore, për Partinë Socialiste, koha nuk premton.
"Përsa i përket numërimit elektronik, nuk shkoi ashtu sikur duhej në zgjedhjet e tjera. Në Shqipëri edhe pasi të numërohen votat elektronikisht, pala humbëse do të kërkojë numërim manual", u shpreh Balla.
Bashkëkryetari i komisionit të reformës zgjedhore, Taulant Balla pohon se Partia Demokratike ka refuzuar kërkesën e socialistëve për të përfshirë në votim dhe emigrantët.
Për këtë kategori ishin menduar disa opsione si krijimi i një zone zgjedhore të posaçme për emigrantët, ashtu dhe shpërndarja e votave në bazë të qarqeve prej nga ku ata e kanë origjinën.
"P?artia Demokratike ka kundërshtuar për votën e emigrantëve, por ne nuk heqim dorë, se kur do të realizohet nuk dihet. Në fund të vitit duhet të kemi një Kod të ri Zgjedhor, ndërsa korrektimi i sistemit elektoral është një vendimmarrje politike. Ndryshimi i sistemit kërkon ndërhyrje kushtetuese. Personalisht mendoj se nuk duhet ndryshuar, pasi ka funksionuar në dy palë zgjedhjet e fundit", tha Balla.