Dërgimi i ligjit të vettingut në Gjykatën Kushtetuese nga Partia Demokratike, nuk pengon hapjen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Garancia vjen nga ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha, gjatë një interviste për Report Tv.
"Vettingu është një ndër ligjet më të rëndësishëm sepse prej aty fillon reforma, skanimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve. Vettingu tashmë ka hyrë në fuqi, pavarësisht se është dërguar në gjykatë, ai do të vazhdojë zbatimi i tij dhe për aq kohë sa është futur dhe në kushtetutë, nuk është antikushtetues, por nuk besoj se do të kemi problematikë për këtë shkak në nëntor për negociatat. Por kjo nuk do të thotë që palët nuk duhet të tregohen më të përgjegjshme e më të matura kur bëhet fjalë për ligje kaq të rëndësishme si ato të reformës në drejtësi", u shpreh Gjosha.