Report TV - Shkelet ligji, Nishani bllokon ngritjen e organeve të Vettingut

2016-10-17 3

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, duket se po i bashkohet frontit për bllokimin e zbatimit të Reformës në Drejtësi, për të cilën është investuar si asnjëherë më parë Perëndimi, sidomos Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Edhe pse i detyruar me ligj, kreu i shtetit ka vendosur të mos i hapë rrugë zbatimit të menjëhershëm të ligjit të Vetingut, i cili do të kalojë në skaner të trefishtë prokurorët dhe gjyqtarët, për ligjshmërinë e pasurive, lidhjet me krimin dhe aftësisë profesionale. Ligji i Vetingut ka hyrë në fuqi që në fund të javës që kaloi.

Neni 7 pika 1 i ligjit parashikon që Presidenti i Republikës shpall menjëherë thirrjen për paraqitjen e shprehjes së interesit për pozicionet e të gjithë anëtarëve të institucioneve të rivlerësimit në faqen zyrtare të internetit, si dhe në dy gazeta me tirazhin më të lartë në vend. Institucionet e rivlerësimit janë Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, Kolegji i Posaçëm i Apelimit dhe komisionerët publikë.