Report TV - Vidhet argjendaria, pronari: Më morën 500 mijë € bizhuteri

2016-10-17 6

Një argjendari në rrugën ?Luigj Gurakuqi? pranë ish- Pazarit të ri në Tiranë, u bastis mëngjesin e të shtunës, nga një grup personash të paidentifikuar.

Pronari i argjendarisë, ?Esenca?, Pavlo Shkarpa tha për Report Tv, se autorët kanë bastisur rreth 8 kilogramë ar, 25 kg argjend dhe 250 ora.

Në total vlera e tyre shkonte në rreth 500 mijë euro, ndërsa sipas Shkarpës, malli i vjedhur është mundi i punës së 25 viteve.

Autorët e vjedhjes kanë hapur një tunel në një godinë e cila ishte në rikonstruksion e sipër dhe kishte murin e përbashkët me argjendarinë.

Më pas ata kanë hipur në tavanin e objektit duke e shqyer atë për faktin se ishte i përbërë me material të dobët. Po ashtu autorët kanë mundur të çaktivizojnë sistemin e alarmit dhe të kamerave të sigurisë duke bërë që më pas të hapnin kasafortën dhe të merrnin të gjithë vlerën e bizhuterive dhe të orave të shtrenjta që ndodheshin aty.

Shërbimi privat i sigurisë ka mbërritur në vendin e ngjarjes, por pa mundur të kuptojë se kishte të bënte me një grabitje, ndonëse sinjali i alarmit, kishte rënë në sallën operative të kompanisë.