Banorët e fshatit Daullas në Fier kanë dalë sot në një protestë paqësore ku kanë ngritur shqetësimin e tyre për rrugën që e lidh fshatin me qytetin e cila është dëmtuar shumë dhe është bërë gati e pakalueshme.
Sipas banorëve, nga infrastruktura e rrënuar e rrugës edhe fëmijët e tyre rrezikojnë që të mos shkojnë në shkollë, pasi automjeti që i transporton ata nuk shkon çdo ditë në zonë duke qenë se rruga është shumë e amortizuar.
Ata i kanë bërë thirrje institucioneve që të ndërhyjnë pasi kjo rrugë është e vetmja që lidh fshatin me qytetin e Fierit.
Janë 3 kilometra rrugë me gropa që këta nxënës detyrohen të përshkojnë këtë rrugë për të shkuar në shkollë në këmbë.
Ata shprehen se rrugët janë shkatërruar më shumë nga kalimi i mjeteve të rënda të dy kompanive që punojnë afër këtij fshati por që përshkojnë këtë rrugë pothuajse çdo ditë.
Burime nga bashkia e Fierit kanë bërë me dije se është arritur një marrëveshje mes kësaj të fundit dhe firmës kontrakturee të Bypass që të bëjë edhe mirëmbajtjen e aksit rrugor.