Report TV - Asambleja, 4 porositë e fshehta të Gramoz Ruçit për socialistët

2016-10-02 0

Përpara 174 anëtarëve të Asamblesë së PS-së, dy ishin protagonistët e vetëm të mbledhjes: Edi Rama dhe Gramoz Ruçi. Ndryshe nga herët e tjera që i gjithë sekretariati ulej në podium bashkë me kryetarin, në këtë mbledhje Edi Rama kishte marrë përkrah vetes vetëm Gramoz Ruçin: triumfatorin e kohës dhe bërrylave të pushtetit brenda partisë. Ky ishte mesazhi i parë për të gjithë sekretarët, duke i ulur të gjitha bashkë me sallën, duke shmangur kështu me delikatesë vendosjen në podium të Koço Kokëdhimës. Në sallë ra në sy prania e vetmuar e këtij të fundit, që thuajse askush nuk i kushtoi vëmendje, veç ndonjë përshëndetjeje mirësjelljeje. Në sallë, mungoi siç pritej Ben Blushi, i cili një ditë më parë kishte deklaruar ndarjen nga PS, por edhe dy përkrahëset kryesore të tij brenda grupit parlamentar, si Mimoza Hafizi dhe Arta Dade. Pas fjalës së Edi Ramës që zuri kohën kryesore të takimit, vijoi mbledhja me dyer të mbyllura. Shqiptarja.com ka siguruar bisedën e plotë në vijim të mbledhjes, ku i vetmi që ka folë ka qenë Gramoz Ruçi. Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, ka kaluar menjëherë në votim të gjitha vendimet, të cilat janë miratuar në unanimitet, dhe më pas u ka dhënë të deleguarve 4 porosi për riorganizimin e partisë dhe përgatitjen elektorale.