Asambleja e Partisë Socialiste zhvilloi sot punimet ku miratoi 10 vendime, ndër të cilat Kodin Etik. Mbledhja u karakterizua nga një fjalim i kryeministrit Edi Rama, mbi një rezyme të punëve të bëra nga qeverisja. Duke u ndalur në çështjet e pronës, luftës antidrogë, shëndetësia, arsimi, spikati premtimi për rritje pagash e pensionesh për vitin 2017.
Kryeministri garantoi se rritja do të jetë si e asnjë qeverie tjetër, ndërsa theksoi se fondi i vënë në dispozicion do të jetë 100 milionë dollarë.
Kreu i qeverisë theksoi se reformat nën qeverisjen aktuale janë më të mëdhatë të realizuara ndër këto 25 vite.
Sic theksoi ai, puna e bërë deri më tani nga PS, do të jetë dhe baza mbi të cilën duhet të ngrihet komunikimi i brendshëm në këtë proçes organizimi të partisë në funksion të zgjedhjeve të ardhshme që janë në prag.