Një sasi prej 87 miliard lekë të vjetra e cilësuar si e dëmtuar janë asgjësuar nga Banka e Shqipërisë nga viti 2010 deri në vitin 2014. Kjo shumë financiare është konstatuar gjatë auditit të ekspertëve të Kontrollit të Lartë të Shtetit, të cilët mbi bazën e këtij kontrolli kanë evidentuar, në një raport të cilësuar sekret shtetëror dhe bankar, shumën e kartëmonedhave të asgjësuara.
Tashmë ky raport ndodhet në prokurorinë e Tiranës, në të cilin evidentohen shkeljet e rregulloreve të Bankës së Shqipërisë dhe të nenit 40 të ligjit për BSH. Mësohet se pas njohjes me këtë raport të drejtuesve të BSH dhe anëtarëve të Këshillit Mbikqyrës, ky këshill që prej 2015 dhe deri tani, ka nxjerë 15 rregullore të reja me qëllimin e vetëm krijimin e rregullshmërisë në procesin e asgjësimit të parave të dëmtuara dhe administrimit e kompesimit të bankave të nivelit të dytë për lekët e dëmtuara që dorëzonin.