Kryeministri Edi Rama ka bërë ndryshime në drejtimin e institucioneve Tatimore dhe Doganore.
Rama ka liruar nga detyra drejtoreshën e Përgjithshme të Tatimeve Briseida Shehaj, ndërsa në vendin e saj ka emëruar Vasilika Vjeron, ish-drejtoreshë e Qendrës Kombëtare të Biznesit.
Briseida Shehaj pas lirimit nga detyra nga Tatimet, pritet që të emërohet zv/ ministre e Ekonomisë në mbledhjen e radhës ditën e mërkurë.
Briseida Shehaj drejtoi Drejtorinë e Tatimeve për 3 vite, që pas ardhjes në pushtet të qeverisë Rama.
Ndërsa drejtoresha e re Vasilika Vjero, para drejtimit të Qendrës Kombëtare të Biznesit ka qenë drejtoreshë e Financave në Bashkinë e Tiranës në kohën që e drejtonte Rama.
Në vendin e Vasilika Vjeros, drejtoreshë e Qendrës Kombëtare të Biznesit emërohet Pranvera Fagu, e cila është liruar nga detyra nga Drejtoria e Doganave, institucion që e drejtonte nga muaji korrik i 2015.
Drejtoreshë e Përgjithshme e Doganave në vendin e Pranvera Fagut është emëruar Belinda Ekonomi. Në vendin e Belinda Ekonomit si këshilltare e Kryeministrit për Ekonominë shkon Irena Beqiraj, ndërsa në vendin e saj si zv/ ministre e Financave do të emërohet Genc Mete.