Kuvendi ka miratuar me 63 vota "pro", 27 kundër dhe 4 abstenime, ligjin për importin e mbetjeve urbane. Ligji u miratua vetëm me votat e mazhorancës, ndërsa opozita votoi kundër.
Ra në sy edhe vota kundër e tre deputetëve socialistë, Ben Blushi, Dashamir Peza dhe Mimoza Hafizi. Kundër votoi edhe kryetari i PBDNJ-së, Vangjel Dule. Deputetët e PDIU nuk kanë marrë pjesë në votim, ndërkohë që kreu i Kuvendit Ilir Meta nuk ishte i pranishëm në seancë.
Ligji për mbetjet u shoqërua nga debate në parlament, me mazhorancën që e cilëson draftin në përputhje me standardet europiane, ndërsa opozita akuzoi për mungesë transparente. Kryeministri sqaroi se ligji është ai i Partisë Demokratike, por me disa ndryshime. Ligji parashikon vetëm importimin e mbetjeve urbane për qëllime riciklimi.