Report TV - Përmbyset autobusi, 31 plagosen Dëshmitë: U zgjuam mes gjakut

2016-09-27 2

Një autobus me 41 pasagjerë i linjës Athinë- Tiranë ka dalë nga rruga dhe është përmbysur në aksin Gjirokastër- Tepelenë te 'Uji i Ftohtë' në vendin e quajtur 'Shkalla e Zezë'. Aksidenti ka ndodhur rreth orës 04:40 minuta të mëngjesit të ditës së sotme, ndërsa autobusi kthehej nga Greqia.

Si pasoje nga aksidenti kanë mbetur të plagosur 31 pasagjerë, mes tyre edhe një fëmijë 1-vjeç. Të plagosurit janë dërguar në spital për ndihmë mjekësore, ndërsa 10 pasagjerë nga 41 që ishin në autobus nuk kanë pësuar lëndime.

Dëshmitarët tregojnë se në momentet kur ndodhi aksidenti ishin në gjumë. Britmat, rrëmuja, xhamat e thyer, të plagosurit, ishin gjërat e para me të cilat u ndeshë kur hapën sytë.

?Unë jam nga Dibra. Unë isha përgjumësh kur papritur autobusi u përplas dhe bëri dy-tre rrotullime. U zgjova ashtu i hutuar dhe kur dola nga autobusi pashë se pjesët e tij ishin dëmtuar. Pastaj njoftuam policinë dhe na sollën në spital. Fati jonë që autobusi iu ndal pas rrotullimeve që bëri? tha një nga pasagjerët.

Një tjetër u shpreh se, ?Unë isha në gjumë, isha diku nga fundi i autobusit. Papritur dëgjova zhurma dhe britma dhe u zgjova. Më sollën në spital dhe nuk e di çfarë është bërë më me të?.

Nga 31 personat e plagosur që u paraqitën në spital, sipas mjekut vetëm 15 janë shtruar, pasi 16 të tjerë kanë dalë, ndërsa të gjithë janë jashtë rrezikut për jetën.