Tirana dhe Prishtina do të rrisin bashkëpunimin mes tyre për përmirësimin e jetës së qytetarëve të dy kryeqyteteve shqiptare, por edhe për të mundësuar një organizim më të mirë të të gjitha bashkive që drejtohen nga shqiptarët në rajonin e Ballkanit.
Kjo ishte tema kryesore e diskutimit të djeshëm mes kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, dhe kryetarit të Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti. Bisedë e cila u fokusua edhe te shkëmbimi i praktikave më të mira mes dy njësive vendore shqiptare dhe zbatimin e tyre në të mirë të përmirësimit të shërbimit ndaj qytetarëve dhe zhvillimin urban të dy qyteteve.
Veliaj dhe Ahmeti mbajtën një konferencë të përbashkët për shtyp, në të cilën vlerësuan si të domosdoshëm shkëmbimin e eksperiencave dhe ideve në lidhje me mënyrën se si mund të përmirësohen më tej shërbimet ndaj qytetarëve, nisur edhe nga fakti se problematikat urbane me të cilat përballen sot Tirana dhe Prishtina janë të ngjashme.