Report TV - 2016, bie numri i përdoruesve të celularëve,200 000 më pak në korrik

2016-09-27 0

Në gjashtë muajt e parë të vitit ka shënuar rënie si numri i përdoruesve aktivë të celularëve ashtu dhe kartave telefonike.

Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare raporton se krahasuar me dhjetorin e vitit të shkuar në korrik rezultojnë rreth 200 mijë përdorues aktivë më pak, ndërkohë që numri i kartave SIM është pakësuar me 330 mijë.

Numri i përdoruesve aktivë dhe përdoruesve sipas kartave SIM në fund të Tremujorit II 2016 respektivisht ka qenë 3.38 milionë dhe 4.66 milionë.

Ndërkaq rritje ka shënuar numri i pajtimtarëve që përdorin internetin përmes celularëve.

AKEP thotë se numri i përdoruesve aktivë me akses broadband 3G-4G në fund të 3-mujorit të dytë 2016 ishte rreth 1.5 milionë, një rritje kjo prej rreth 51% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Numri i pajtimtarëve nga rrjetet fikse më 31.06.2016 arriti në rreth 255 mijë, një rritje kjo prej rreth 3 % në krahasim me fundin e 3 mujorit paraardhës.

Norma e penetrimit për popullsi dhe familje të aksesit broadband fiks në fund të tremujorit të dytë 2016 ishte respektivisht rreth 9 % dhe 35%.