Report TV - Pronarët letër Kushtetueses: Po merren vendime të pariparueshme

2016-09-27 0

Në pritje të qëndrimit të Komisionit të Venecias për Ligjin e ri të Pronave, Shoqata Pronësi me Drejtësi vë alarmin se prej muajsh po merren vendime të cilat cenojnë rëndë interesat e pronarëve. Përmes një letre dërguar Gjykatës Kushtetuese, pronarët kërkojnë pezullimin e ligjit, pasi zbatimi i tij po shkak efekte të pariparueshme.

Ligji i ri i pronave aktualisht është në proces shqyrtimi nga ana e Gjykatës Kushtetuese, pasi 8 subjekte, mes të cilave edhe Presidenti i Republikës kërkuan rrëzimin e tij. Gjykata la në fuqi zbatimin e tij deri në një përgjigje nga ana e Komisionit të Venecias për kushtetutshmërinë e tij.

Por sipas pronarëve, lënia në fuqi e zbatimit të ligjit po shkakton dëme të rënda në procesin e kthim kompensimit të pronave. Sipas tyre, pronarët po kompensohen me shumë qesharake për prona në kryeqytet falë formulës së ligjit të ri.

Një tjetër pasojë rënduese e cituar nga pronarët është miratimi i akteve nënligjore të Ligjit të ri të pronave. Ato përcaktojnë parashkrimin e afateve ankimore ndaj vendimeve përfundimtare. Nuk dihet nëse këto afate do përllogariten nga data e publikimit të regjistrit, apo nga data e njoftimit të vendimit të vlerësimit subjekteve (në përputhje me parashikimet e Kodit të Procedurave Administrative).

Në këtë mënyrë, për shumë vendime të dhëna gjatë këtyre muajve, shumë pronarë rrezikojnë t?a kenë humbur të drejtën për t?u ankuar, për shkak se nuk janë njoftuar rregullisht për aktet administrative të njëanshme që prekin të drejtat e tyre pasurore.