Qytetarët vlonjat shprehen të indinjuar për zaptimin e rrugëve të qytetit nga kompania që u kërkon të paguajnë për të parkuar. Sipas tyre është anormale që të paguajnë tarifa të mëdha për parkimin e mjetit poshtë banesës së tyre.
Teksa pohojnë se nuk do ta paguajnë tarifën e parkimit, ata deklarojnë se më mirë të parkojnë keq e të gjobiten 1 mijë lekë nga Policia Rrugore, se sa ti paguajnë 4500 lekë një kompanie private.
Ndërkohë përfaqësuesi i shoqërisë civile ?Lëvizja për Vlorën?, Ervin Sota shprehet se kemi gjetur disa rrugë demokratike për të kundërshtuar këtë padrejtësi që po i bëhet qytetarëve vlonjate. Sipas tij nuk është aspak normale që një firmë private të marri 98% të të ardhurave për 15 vite dhe Bashkia e Vlorës të marri vetëm 2 %. Më tej Sota shprehet se do të vijojnë protesta për të kundërshtuar marrjen e pronës publike për 15 vite nga kompania ?Tiss Par?.
Një ditë më parë në prokurorinë e Vlorës u dorëzua një kallëzim penal për, ish kryetarin e Bashkisë Vlorë, Shpetim Gjika, kryetarin aktual Dritan Leli si dhe për prefektin Etjona Hoxha. Sipas kontratës së firmosur nga ish- kryetari i Bashkisë Shpetim Gjika disa orë para se të arrestohej, kompania private ?Tiss Par? ka marrë me koncesion për 15 vite 24 rrugë në qytetin e Vlorës.