Report TV - Skeda/ Dorëheqja e Haxhinastos ndryshimi i 6 në qeverinë Rama

2016-09-27 0

Largimi i Ministrit Haxhinasto nuk është i vetmi në qeverinë Rama, por ndryshimi i gjashtë në harkun e 3 viteve. Ndryshimi i parë në nivel ministri në qeverinë e tij ndodhi në gusht të vitit 2014, një vit pasi koalicioni i majtë erdhi në pushtet.

Ministri për Marrëdhëniet me Parlamentin Ilirjan Celibashi dha dorëheqjen. Largimi i tij ishte personal dhe ai e lidhi për arsye profesionale. Në vend të tij Rama emëroi deputeten Ermonela Felaj.

Ndryshimi tjetër në qeveri do të vinte në ministrinë e Mirëqenies Sociale. Ministri Erion Veliaj lë këtë detyrë për të kandiduar për postin e kreut të bashkisë së Tiranës. Ai u zevendësua nga deputeti Blendi Klosi, detyrë që e mban ende.

Në shtator të 2015 u largua nga qeveria një ministër tjetër i LSI-së. Nasip Naço në krye të ministrisë së Drejtësisë largohet, lëvizje e cila ndodhi në fillim të reformës në drejtësi. Në vend të tij LSI propozoi Ylli Manjanin, post të cilin e mban ende.

Më 16 shkurt nga qeveria u largua një tjetër ministër dhe ai ishte Shkëlqim Cani, që drejtonte financat. Kjo lëvizje u pasua me ndryshime portofolesh mes ministrave.

Në drejtim të Financave kryeministri Rama vendosi Arben Ahmetajn që mbante postin e ministrit të Ekonomisë, Turizmit e Tregtisë.

Ndërkaq zonja Milva Ikonomi, e cila mbante postin e zëvendësministres së Shëndetësisë zëvëndësoi Ahmetajn në detyrën e Ministrit të Ekonomisë.