Që prej ditës së djeshme një zjarr i fuqishëm ka përfshirë sipërfaqet pyjore në njësinë administrative të Gjegjanit në Pukë.
Terreni i vështirë, pamundësia e ndërhyrjes së zjarrfikësve dhe erërat e forta favorizuan përhapjen e zjarrit në masivin pyjor të Gjegjanit.
Emergjencat Civile u detyruan të kërkonin ndihmën e helikopterëve të Ministrisë së Mbrojtjes, pasi terreni ishte i vështirë.
Me mbërritjen e helikopterit të Ministrisë së Mbrojtjes në zonën e zjarrit dhe punës së zjarrfikësve nga toka, u bë e mundur që vatra e zjarrit të lokalizohej brenda një perimetri relativisht të vogël të masivit me pisha, ndërsa puna po vijon deri në fikjen e plotë të zjarrit.
Rreziku për përhapjen e flakëve mbetët sërish prezent, pasi erërat e forta mund të riaktivizojnë vatrat e zjarrit.
Mësohet se zjarri ka rënë në një zonë ku forcat e policisë kanë asgjësuar disa parcela me kanabis dhe dyshohet se ai është i qëllimshëm.