Kryeministri i vendit Edi Rama i është përgjigjur sot për më shumë se 1 orë pyetjeve të drejtuara në adresën e tij në rrjetet sociale Facebook e Twitter nga qytetarët, ku përveç të tjerave ka thënë se shumë shpejt do të ulet në tryezë për të diskutuar me kryetarin e LSI-së për vijimin e koalicionit edhe në vitin 2017.
Por nga ana tjetër, ai ka theksuar se ky koalicion qeverisës, duke përfshirë këtu edhe PDIU-në po vë themelet e një shteti përmes reformave që janë ndërmarrë e po ndërmerren.
?Kam dëgjuar shpesh me LSI apo pa LSI. Unë e di shumë mirë se koalicioni ka shumë mbështetës, ka dhe shumë skeptikë dhe jo pak kundërshtarë. Duhet parë në shumë nivele, në nivelin e përditshmërisë dhe funksionimin në mbarë territorin dhe këtu flas jo në marrëdhënie ndërpartiake, por në marrëdhënie të administratës dhe përfaqësuesve të koalicionit. Nëse në aspektin e parë ka shumë gjëra për të korrigjuar, dhe jo pak gjëra për të kërkuar ndjesë, sidomos në nivelin sesi ndërtohen marrëdhëniet me qytetarët, në nivelin strategjik po i bën një shërbim shumë të madh këtij vendi, ka reforma që duhet të ishin bërë këtu e 20 vite kusur të shkuara. Ky koalicion, në gjykimin e së përditshmes mund të ketë shumë gjëra për të rrudhur buzët, por në gjykimin strategjik meriton njohjen e meritës së madhe se është baza e sigurt e reformave të mëdha që transformojnë Shqipërinë. Reforma që nëse do të ishin bërë 20 kusur e vite të shkuara do të kishin dhënë efekte. Por ne i nisëm dhe të jemi të sigurt se Shqipëria e gjeneratës tjetër do të jetë edhe më e mirë. Së shpejti ne do ulemi në tryezën e koalicionit dhe do diskutojmë projektin e katër vjeçarit të ardhshëm. Do vendosim si do paraqitemi para shqiptarëve për mandatin tjetër. Sot koalicioni ka edhe një komponent të ri, që është PDIU. Është një diskutim i nevojshëm, duhet bërë serioz''