Report TV - Ina Balla humbet shikimin nga një sy, apel për ndihmë

2016-09-26 2

Kemi ndjekur gjithë këto muaj historinë e trishtuar të Ina Ballës, nënës së dy vajzave të vogla dhe të sëmundjes së rëndë të saj. Me prerjen e flokëve ka marrë një pamje të re dhe lufta e saj ndaj kancerit të gjirit vazhdon e fortë. Ilaçet që merr kanë efekte anësore dhe fatkeqësisht ka humbur shikimin në syrin e djathtë. Pavarësisht kurimeve që po merr, mjekët nuk i japin shpresë për përmirësim.

Pas apelit në Report TV shqiptarë të ndryshëm dhe të gjitha institucionet reaguan duke ofruar ndihmë, por jo të gjithë e mbajtën fjalën e premtuar. Ina përfiton 14 mijë lekë bonus social nga Bashkia e Tiranës, lekë me të cilat paguan qiranë e shtëpisë ku jeton me dy vajzat.

Këto muaj nuk ka marrë as paratë e KEMP-it, por që Report Tv, pas interesimit, mori premtimin se do t'i marrë në shtator. Edhe ilaçet vazhdon t?i blejë me lekët e saj.

37-vjecarja thotë se nuk i përballon dot shpenzimet, sidomos ato për dy vajzat e saj, të cilat tashmë do të shkojnë në shkollë, por mundësitë ekonomike janë të pakta edhe për të blerë librat shkollorë.

Me lot në sy dhe me përkëdheljen e vajzës së saj të vogël Sarës, Ina shprehet se përpiqet që të lëvizë dhe të bëhet e fortë.

Kur dikush premton publikisht se do të ndihmojë një të sëmurë, një nënë të vetme me dy vajza të vogla, duhet ta mbajë premtimin e dhënë. Analizat që ju premtuan falas Ina Ballës nuk u bënë asnjëherë.

Drejtoresha e Marketingut në Spitalin Amerikan Oriela Çano kërkoi kontaktin e Ina Ballës duke i ofruar analizat falas dhe më pas kontaktoi Report TV për ta bërë lajm.

Edhe njëherë Report TV i bën apel çdokujt që ka mundësi, të ndihmojë në vazhdimësi këtë nënë të vetme me dy vajzat e saj, e cila përballet me sfidën më të madhe të jetës, me sëmundjen e kancerit, por dhe të vështirësive financiare.

Ne ju kujtojmë edhe njëherë llogaritë personale të Inës, e cila mund të marrë direkt ndihmën e secilit dëshiron të vërë dorën në zemër. Numrat e llogarisë në Tirana Bank ku mund të kontribuoni financiarisht për kurimin e nënës së dy fëmijëve, Ina Balla.

Numrat e llogarisë te Tirana Bank
Lek
AL70206110040000100574353001

Euro
AL16206110040000100574353003

Dollarë
AL43206110040000100574353002

Free Traffic Exchange