Report TV - Zjarri në Shëngjin, përkeqësohet situata, rrezikohen katër banesa

2016-09-26 0

Janë aktivizuar gjatë natës sërish vatrat e zjarrit në malin e Rrencit në Shëngjin. Situata është problematike pasi flakët janë në afërsi edhe të qytetit të Shëngjinit. Zjarri vijon të jetë aktiv edhe tek ''Rana e Hedhun'', ku rrezikohen 4 banesa dhe zjarrfikësit e kanë të pamundur të ndërhyjnë për shkak të terrenit të vështirë.

Zjarrfikësit dhe ushtria gjatë gjithë natës kanë qenë në gatishmëri duke luftuar me flakët.

Zjarri është aktivizuar edhe për shkak të ndërprejes së operacionit të shuarjes nga ajri, pasi për helikopterët është e pamundur që të ndërhyjnë gjatë natës.

Një ditë më parë, flakët dolën jashtë kontrollit edhe si pasojë e erës së fortë. Zjarri dhe tymi iu afruan bregdetit duke vënë në rrezik resortet turistike, por fatmirësisht ndërhyrja në kohë shmangu dëmet.

Pushuesit u larguan menjëherë për shkak të tymit që mbërriti deri në breg të detit. Era e fortë favorizoi përhapjen e shpejtë të flakëve dhe ndryshimin e vazhdueshëm të drejtimit të tyre.

100 ushtarë, dhjetra forca policie dhe zjarrfikës të shumtë tashmë janë në zone që prej natës se mbremshmë me shfaqjen e vatrave të zjarrit.

Ndërkaq gjatë një prononcimi për Report Tv Prefekti I Lezhës, Eduard Ndreca dhe nënkryetari I Bashkisë, Enver Hafizi u shprehën se flakët u përhapën edhe nga era e fortë.

Ndreca dhe Hafizi konfirmuan se veç ndërhyrjes nga ajri në terren kanë qenë edhe me dhjetra forca të zjarrëfikseve e policisë si dhe 100 forca të Ushtrisë.