Report TV - Kërcenohet me sms për bombë redaksia e Report TV,pranga autorit

2016-09-26 10

Redaksia e televizionit Report TV dhe gazetës Shqiptarja.com, morën një mesazh kërcënues nëpërmjet telefonit, një alarm për bombë. Rreth orës 13:04 minuta të kësaj të marte, në telefonin e redaksisë u shfaq një sms e dërguar nga një telefon me numrin +35568 22 01 029.

Në të shkruhej: "Unë Shkëlqim Tarja, ju kam vënë eksploziv në redaksi. Orën e shpërthimit e keni në fb?.

Pas konstatimit të këtij mesazhi kërcënues, redaksia njoftoi Sallën operative të Drejtorisë së Policisë së Tiranës. Menjëherë efektivë të komisariatit nr.1, të njësisë Antieksploziv dhe të Njësisë së Antiterrorit mbërritën në adresën e redaksisë duke evakuar stafin, banorë dhe fëmijët e një kopshti ngjitur me televizionin.

Njësia antieksploziv e RENEA-s, kryen kontrollet në të gjithë ambientet e redaksisë, ku nuk u konstatua, ndonjë objekt apo pako e dyshimtë.


Ndërkaq bazuar në emrin e personit që ishte identifikuar në numrin e telefonit të postuar në numrin e redaksisë, policia shoqëroi, personin e dyshuar, Shkëlqim Tarja, banues në Laprakë.

Personi u shoqërua në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës. Sipas burimeve ai mësohet se ka pranuar autorësinë e mesazhit kërcënues ndërsa ende nuk dihet shkaku apo motivi i kërcënimit.

Burimet e policisë thanë se Tarja njihet si person me çrregullime mendore, ndërsa ndaj tij është vendosur arrestimi në flagrancë me akuzën e kanosjes dhe të përhapjes së informacioneve të rreme.