Report TV - Vettingu, shtyhet mbledhja e komisionit,ishte parashikuar sot

2016-09-26 0

Shtyhet mbledhja e komisionit të reformës në drejtësi. Projekt-ligji për vetingun, pra skanimin e pasurisë së pastërisë të gjyqtarëve dhe prokurorëve, do të shqyrtohet paraditen e së martës.

Mbledhja e lajmëruar për pasditen e së hënës, u anulua, për shkak se rishikimi i ligjit nga euralius dhe opdat , ende nuk i është përcjellë anëtarëve dhe që ende nuk janë njohur me të.

Javën e kaluar ekspertet e këtyre dy strukturave ndërkombëtare sollën në komision opinionin e tyre mbi kritikat e opozitës për ligjin. Misioni i Bashkimit Europian i bëri të qartë Partisë Demokratike, vijën e kuqe përtej të cilës nuk mund të miratohet ligji vetingut.

4 parime që nuk mund të prekeshin në verifikim, veçanërisht roli i ndërkombëtareve si dhe roli i Inspektoratit te Deklarimit të Pasurive e Drejtorisë së Informacionit të Klasifikuar, qe do te bëjnë kontrollin e pasurisë dhe figurës se prokuroreve e gjyqtarëve.

Në intervistën e tij për Report TV, kryetari i komisionit Fatmir xhafaj, tha se debate përtej këtyre piketave, nuk do të ishte consensus, por Pazar. Po të martën, kryetari i kuvendit ka vendosur të thërrasë kryetarët e grupeve parlamentare për të përcaktuar datën e seancës së parë të jashtëzakonshme plenare për të votuar ligjin e vetingut.

Në kuadër të konsensusit, ai vendosi të ndjekë shembullin e presidentit të republikës dhe të mos hedhë shortin për emërimin e 9 anëtarëve të këshillit të emërimeve në drejtësi, strukturë e re që krijohet në kuadër të reformës.

Në mungesë të një ligji ku përcaktoheshin kriteret përzgjedhëse të këtyre njerëzve, presidenti vendosi të mos veprojë ashtu siç e parashikonte neni 179 i Kushtetutës së re, ku ai ngarkohej që brënda 16 gushtit të zgjidhte anëtarët e KED-së.

Po sipas këtij neni, nëse kreu i shtetit nuk e ushtron këtë detyrë, kompetenca i kalon kryetarit të parlamentit, që duhet ta përmbushë brenda 10 ditësh nga hyrja në fuqi e ndryshimeve kushtetuese.

Afati skadoi të dielën në 21 gusht, ndërsa ligji ku përcaktohen kriteret, ndodhet tashmë në komision.