Report TV - Zgjedhjet, koalicioni PS-LSI me kandidat të përbashkët në Dibër

2016-09-25 4

Koalicioni i majtë do të garojë me një kandidat të përbashkët në zgjedhjet për bashkinë e Dibrës që do të zhvillohen në datën 11 shtator.

Partia Socialiste dhe Lëvizja Socialiste për Integrim kanë vendosur kandidat për bashkinë Muharrem Ramën përballë Sherefedin Shehut nga PD.

Muharrem Rama është një emër i njohur në Dibër, pasi është kryetari i Partisë Socialiste për qytetin, ndërsa është drejtor i spitalit dhe mjek kirurg me profesion.

Kandidati i aleancës së majtë është prezantuar pasditen e sotme në strukturat e partisë në Dibër nga ministri Damian Gjiknuri.

Pas zyrtarizimit të Muharrem Ramës ka reaguar edhe Dionis Imeraj, që ishte emri më i lakuar ditët e fundit që mund të garonte për bashkinë nga koalicioni i majtë.

Imeraj shprehet se do të respektojë vendimin për kandidimin e mjekut Rama përballë Shehut të Partisë Demokratike.

?Përkrahja juaj ka qenë për mua një suport i madh moral ,gjë që më nxit mua, që në të ardhmen të marr mbi vete përgjegjësi më të mëdha në shërbim të popullit dhe vendit tim.

Vlerësoj besimin që m'u dha si kandidat i mundshëm për Kryetar Bashkie në rrethin e Dibrës.

Më mbetet mua si me i ri në moshë të respektoj eksperiencën dhe përvojën që ka kandidati tjetër, doktor Muharrem Rama.

I uroj sukses të padiskutueshëm dhe do të ketë mbështetjen e shumicës?deklaron drejtori i Tatimeve për qarkun e Dibrës.

Dionis Imeraj ishte favorit, por burime nga PS pohojnë se pas zyrtarizimit nga PD të Sherefedin Shehut planet ndryshuan duke bërë që të zgjidhet mjeku Muharrem Rama.

Zgjedhjet në bashkinë e Dibrës zhvillohen për shkak të shkarkimit të Shukri Xhelili pas skandalit seksual pak muaj më parë, ku ish-kryebashkiaku i kërkonte favore seksuale një vajze 21-vjeçe për ta punësuar.