Report TV - Tetë porte jahtesh në Jug, Qeveria po shqyrton kërkesat

2016-09-25 0

Pas ndërtimit të dhjetëra fshatrash turistikë, bregdeti shqiptar po përgatitet për një tjetër bum: të porteve të jahteve. Report TV ka mësuar se qeveria po shqyrton së paku 8 propozime për ndërtime portesh jahtesh në segmentin bregdetar Vlorë- Sarandë.

Ndërkohë që aktualisht në këtë pjesë të bregdetit numërohen tre porte jahtesh. Një në Sazan dhe dy në Orikum.

Kërkesa e parë parashikon ndërtimin e një porti jahtesh shumë pranë Portit të Vlorës, ndërsa e dyta në ishullin e Sazanit. Në gjirin e Vlorës rezultojnë edhe dy propozime të tjera për porte jahtesh, një në Radhimë, dhe një tjetër pak kilometra më në jug, pranë Orikumit. Kërkesa e pestë pozicionohet në kalanë e Porto Palermos.

Në Sarandë rezultojnë 3 propozime për porte jahtesh, 2 të parat në brigjet pranë qytetit, ndërsa i treti në të hyrë të Ksamilit.

Vetë Ministria e Turizmit ka pranuar se ka një numër të madh kërkesash për investime të këtij lloji nga investitorë shqiptarë e të huaj. Faktor nxitës për këto kërkesa është edhe vetë ligji i turizmit, i cili parashikon skemën e taksës 1 euro për investime strategjike miliona dollarëshe.