Report TV - Akuzat e PD, reagon Qeveria: Gjyqtari i Strasburgut me parimet e Vetting-ut

2016-09-25 4

Qeveria përmes portalit Transparenca.al ka reaguar duke përgënjeshtruar akuzat e Partisë Demokratike mbi procesin e përzgjedhjes së kandidatëve për gjyqtar në Strasburg.

Qeveria akuzon se në përzgjedhjen e mëparshme qeveria Berisha mbajti gjithçka në fshehtësi, ndërsa aktualisht procesi është transparent, pasi thirrja për aplikim është publikuar në datën 18 korrik.

Gjithashtu qeveria thekson se është ngritur edhe një komision me anëtarë që gëzojnë përvojë të konsiderueshme profesionale dhe që janë përfaqësues të institucioneve të pavarura për përzgjedhjen e kandidatëve për gjyqtar në Strasburg.

Përsa i përket akuzave nga PD për shmangien e procesit të Vettingu-t, qeveria deklaron se pavarësisht se ligji për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve nuk është miratuar, Komisioni gjatë kryerjes së procedurave përzgjedhëse për kandidatët po zbaton dhe po vlerëson kandidaturat në përputhje jo vetëm me kriteret e thirrjes për aplikim, por edhe me parimet që qëndrojnë në themel të procesit të vetting-ut, të cilat lidhen me çështje të kompetencave profesionale, verifikimin e deklarimit të pasurisë dhe integritetin.

?Përzgjedhja e kandidatëve do të bëhet me parimet e Vetting-ut. Aplikantët do dorëzojnë formularin e vetëdeklarimit, ndërsa komisioni ka bërë kërkesë në ILDKPKI mbi deklarimin e pasurisë së kandidatëve?.

Qeveria sqaron se ka të drejtë vetëm propozimin e tre emrave për këtë pozicion, pasi është Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës, institucioni që do të shqyrtojë, vlerësojë dhe votojë një nga emrat e paraqitur, ndërsa ka zbardhur edhe listën e kandidatëve.

Mes kandidatëve janë kreu i Gjykatës së Lartë Xhezair Zaganjori por dhe ish-kryeprokurorja Ina Rama.

Partia Demokratike deklaroi sot se qeveria ka nisur në terr dhe mungesë të plotë transparence, procesin e përzgjedhjes së kandidatëve që do të votohen për postin e gjyqtarit që përfaqëson Shqipërinë në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut.