Report TV - Vlorë, vritet me plumb në kokë çobani, 1 i arrestuar, 2 në kërkim

2016-09-25 7

Një vrasje me armë zjarri ka ndodhur në Vlorë, ku një i ri i moshës 21-vjeç, i identifikuar si Endri Kosteja nga fshati Dorëz i Librazhdit, është qëlluar me një plumb në syrin e djathtë, duke i marrë jetën në vend.

Ngjarja është regjistruar në fshatin Vranisht, mbrëmjen e djeshme.

I riu, i cili punonte në një stan si çoban, ka një plagë në kokë, pranë syrit të djathtë të shkaktuar me armë zjarri, çka shton dyshimet e grupit hetimor se nuk kemi të bëjmë me vetëvrasje, siç u mendua në fillim.

Fakti që plaga është në pjesën e syrit, bën që policia t'i kthehet pistës së vrasjes dhe për këtë arrestoi si të dyshuar të zotin e stanit, Sheref Lelaj, 74 vjeç, banues në fshatin Mesaplik, Vlorë si dhe ka shpallur në kërkim dy djemtë e tij, V. L., 34 vjeç dhe L.L., 46 vjeç.

Pavarësisht arrestimit dhe shpalljes në kërkim të dy të tjerëve, policia nuk e përjashton edhe pistën e vetëvrasjes, por konkluzionet zyrtare do të jepen pas hetimeve.

Mësohet se trupi i pajetë i të riut ka mbërritur në spitalin rajonal të Vlorës mbrëmjen e djeshme rreth orës 20:00.
?