Report TV - Me koncesion edhe burgjet, arsimi, furnizimi me ujë e godinat shtetërore

2016-09-25 0

Deri tani jemi mësuar të dëgjojmë për koncesione në energjetikë, transport apo burime natyrore, por qeveria e ka shtrirë fushën e zbatimit të këtyre lloj kontratave në thuajse çdo aktivitet shtetëror. Ministria e Ekonomisë ka bërë publike fushat e aktiviteteve publike që do jepen me koncesion.

Ato tashmë do të shtrihen dhe në telekomunikacion; shkencë dhe arsim; turizëm, argëtim dhe hoteleri; kulturë dhe sport; shëndetësi; shërbime sociale; burgje dhe infrastrukturë gjyqësore; rehabilitim i tokës dhe pyjeve.

Subjekt koncesionesh, apo partneriteti privat publik do jenë dhe godinat e administratës publike, si dhe teknologjia e informacionit dhe infrastrukturë e bazës së të dhënave. Po ashtu dhe në prodhimin dhe shpërndarje e ujit, trajtim, mbledhje, shpërndarje dhe menaxhim i ujërave të zeza, ujitje, drenazhim, pastrim i kanaleve dhe digave.

Në transport koncesionet do përfshijnë sistemin e hekurudhave, transportin hekurudhor, portet, aeroportet, rrugët, tunelet, urat, parkimin, transportin publik. Në energjetikë do përfshijnë dhe prodhimin e shpërndarjen e energjisë elektrike dhe energjisë për ngrohje.

Këshilli i Ministrave, me propozimin e ministrive të linjës apo propozime që këto i marrin nga autoritete të njësive të qeverisjes vendore apo të organeve qendrore të politikës së koncesioneve/partneriteteve publike private, vendos për koncesionet/partneritetet publike private që zbatohen në sektorë të tjerë.