Report TV - Reforma në drejtësi nga nesër në fuqi, por e pazbatueshme

2016-09-25 0

Të enjten ndryshimet kushtetuese të miratuara unanimisht në orët e para të 22 korrikut, hyjnë në fuqi.

Pas dekretimit nga kreu i shtetit 47 nenet e ndryshuara të Kushtetutës, së bashku me anekset, tashmë janë botuar në Fletoren Zyrtare. Por edhe pas gjithë kësaj, reforma është ende e paplotësuar dhe e pazbatueshme, për sa kohë 7 ligjet organike që e shoqërojnë atë dhe e bëjnë funksionale, ende nuk janë miratuar.

Të kontaktuar nga Report Tv mbi këtë ngërç Oerd Bylykbashi i PD, Ulsi Manja i PS dhe Spartak Braho e Luan Rama të LSI-së japin argumentet e tyre.

"Përtej konsensusit politik, e kemi thënë që në fillim të procesit që drafti i njëanshëm Kushtetues kishte probleme të rënda në lidhje me sistemin e institucioneve. Shembull për këtë ishte KED i cili ishte guri i themelit të arkitekturës së kapjes politike. Ne arritëm ta zhbëjmë këtë aspekt, por me insistimin e PS, KED mbeti në Kushtetutë si një apendisit që më shumë krijon probleme në zbatimin e Kushtetutës. Dhe ja, ekspertët e qeverisë kanë hartuar draftin në mënyrë të tillë që nuk mund të zbatohet edhe pse Presidenti po mbledh ekspertë e parti politike që të gjejë një rrugëdalje nga qorrsokaku kushtetues. Kjo është reforma kushtetuese kur Kryeministri dhe deputetët e tij deklarojnë se e votojnë pa e lexuar. Dhe ky është vetëm fillimi i problemeve", u shpreh Bylykbashi.