Plot 23 800 pushues dhe turistë kanë marrë ndihmë mjekësore në të gjitha qendrat shëndetësore turistike të çelura në të gjithë vendin që nga data 15 qershor.
Shifra është bërë publike nga Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, gjatë një vizite pune të realizuar pranë Qendrës Shëndetësore të ngritur posaçërisht për sezonin turistik tek zona e Malit të Robit, në Golem.
Kreu i shëndetësisë ka pohuar se me ofrimin e këtij shërbimi në zonat turistike ky sezon ka qenë edhe më i plotë për turistët.
?Praktikisht, nga nisja e këtij shërbimi në 15 qershor deri në fund të javës së parë të gushtit, jemi në 23800 pushues që kanë marrë shërbimin në këto qendra shëndetësore, dhe ne besojmë se u kemi plotësuar atyre pushimet, kemi kontribuuar në një sezon turistik të suksesshëm, por japim edhe më shumë garanci për operatorët turistikë që në paketat e tyre të ofertave kanë edhe këtë element garancie minimale", nënvizoi ministri.
"Nga ana tjetër, mjekët e kësaj qendre shëndetësore kanë treguar se rastet më të shpeshta tek fëmijët janë gastroenteritet, infeksionet dhe pickimet nga insektet apo peshqit, kurse tek të rriturit, problemet kardiake dhe diabeti?, tha Beqaj.
Numri i rasteve ka ardhur duke u shtuar, sidomos këtë 3 javëshin e fundit, duke shkuar deri në 40-50 vizita përgjatë 24 orëve.