Pamjet filmike të një kamera të instaluar në dhomën e kasafortës së bankës, janë prova kryesore e policisë dhe prokurorisë së Tiranës për zbardhjen e grabitjes së 21 milionë lekëve në një bankë të nivelit të dytë në zonën e ish-Bllokut, në Tiranë. Filmimet e rregjistruara nga kjo kamera tashmë janë sekuestruar me urdhër të prokurorisë, ndërsa në këto pamje, njëri nga autorët e vjedhjes duket qartësisht në pjesën e fytyrës, pasi është kthyer në pjesën ballore të saj.
Pikërisht ky moment ka shërbyer për ngritjen e dyshimeve për dy persona, të cilët mësohet se tashmë janë identifikuar, por priten verifikimet e mëtejshme për të proceduar më tej me marrjen e tyre në pyetje apo dhe vënien në pranga nëse provat janë të mjaftueshme për përfshirjen e tyre në grabitjen spektakolare të bankës.
Aktualisht hetimet janë përqëndruar pikërisht në këtë moment me shpresën e identifikimit të shpejtë të autorit, që është fiksuar nga filmimet e kameras, i cili mund të çojë edhe në zbulimin e autorëve të tjerë të grabitjes.
?Në këtë drejtim po punohet shumë me ekspertë të laboratorit të policisë shkencore dhe oficerë të policisë kriminale, me qëllim identifikimin e këtij personi?- thanë për Shqiptarja.com burime pranë grupit hetimor.
Ndërkohë dyshime të forta janë ngritur prej hetuesve se në këtë ngjarje mund të ketë gisht ndonjë prej punonjës ose ish-punonjësve të bankës, që mund tu ketë dhënë informacion grabitësve lidhur me koordinatat e sakta të vendodhjes së kasafortës të bankës në zonën e ish-Bllokut.