Përgjaken sërish rrugët e Shkodrës. Aksidenti i radhës ka ndodhur në aksin Shkodër- Hani i Hotit pranë fshatit Shtoj i Ri ndërsa një i moshuar ka humbur jetën pasi është përplasur nga një automjet.
Aksidenti i rëndë ka ndodhur rreth orës 19-00 ndërsa automjeti tip Benz me targa SH 98 61 D ka përplasur biçikletën e cila lëvizte në anë të autostradës Shkoder- Hani i Hotit.
Përplasja ka qenë fatale për të moshuarin i cili fillimisht është goditur nga xhami përpara i automjetit e më pas është përplasur në asfalt.
I moshuari i cili dyshohet se është rreth të 70- ve është dërguar me urgjencë në spitalin e Shkodres por pasi ka mbërritur në urgjencën e spitalit rajonal, ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra në pjesën e kokës.
Ndërkohë policia ka bërë shoqërimin e drejtuesit të automjetit deri në sqarimin e plotë të shkaqeve të aksidentit si dhe ka nisur punën për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit, ndërsa dyshohet se parakalimi I gabuar i automjetit ka shkaktuar aksidentin e rende me pasoje vdekjen e 72 vjecarit.