Report TV - Përmbytjet në Shkup, Xhezairi: Bilanci i viktimave mund të rritet, ka të zhdukur

2016-09-25 4

Gazetari shqiptar nga Shkupi, Seladin Xhezairi u shpreh në një lidhje telefonike për Report Tv, se numri i viktimave nga përmbytjet mund të rritet. Ai u shpreh se krahas bilancit zyrtar prej 22 të vdekurish, janë edhe disa të zhdukur, fati i të cilëve nuk dihet.

"Situata vijon të jetë problematike, pasi ka njerëz që rezultojnë të zhdukur dhe bilanci përfundimtar do të jepet gjatë ditës, për shkak se sot u konfirmua edhe një tjetër viktimë, duke e çuar në 22 numrin e viktimave. Numri i viktimave fatkeqësisht mund të vijë në rritje. Ka ende familjarë që nuk janë paraqitur, lidhjet telefonike nuk funksionojnë. Uroj që me kaq të mbyllet", u shpreh ai.

Xhezairi theksoi se përmbytjet kanë prekur vendbanimet shqiptare, por edhe ato të banuara nga maqedonasit. Sipas tij, numri i viktimave është i barabartë për të dyja kombësitë.

"Prej 22 viktimave, numri i viktimave është thuajse i barabartë mes shqiptarëve dhe maqedonasve. Zonat e prekura janë nga të dyja anët, si në Hasanbeg vendbanim shqiptar p.sh, por edhe në zonat e tjera të banuara nga maqedonasit, ka përmbytje".

Seladin Xhezairi komentoi edhe vendimin e qeverisë për të dëmshpërblyer me 5 mijë euro familjet e prekura nga përmbytjet. Ai tha se ky vendim është një ndihmë paraprake, pasi vlerësimi i dëmeve sapo ka nisur.

"5 mijë euro për familjarët e viktimave? Këto ndihma janë të parat, përpara se të dalë bilanci përfundimtar i përmbytjeve. Ka filluar vlerësimi i dëmeve. Kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi, më tha sot se autoritetet e Shkupit kishin kërkuar raportin e dëmeve. Vlerësimi i dëmeve ka filluar, Shtabi i Emergjencës është ngritur tashmë. Ajo që dihet është se vlerësimi i dëmeve ka për të qenë mjaft i lartë", deklaroi Xhezairi.

Free Traffic Exchange