Report TV - Basha paralajmëron bojkot të zgjedhjeve parlamentare?

2016-09-25 0

?Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka paralajmëruar bojkotimin e zgjedhjeve parlamentare të 2017-ës. Në një deklaratë të shpërndarë për mediat, Basha thekson se tashmë vendimi është marrë dhe se zgjedhjet e lira e demokratike garantohen pa Edi Ramën Kryeministër.

"Nuk ka zgjedhje me Edi Ramen kryeminister dhe me langot e tij te korruptuar e të bërë njësh me krimin dhe drogën. Vendimi është marrë. Është një vendim popullor i pakthyeshëm. Zgjedhje te lira dhe te Ndershme vetëm pa Edi Ramën kryeministër", shkruan Basha.?

Ndonëse pak ditë më parë, kreu i PD kërkoi krijimin e një qeverie teknike për të garantuar sipas tij, zgjedhjet e lira dhe të ndershme, në deklaratën e kësaj të shtune duket se Basha e ka shmangur këtë artikulim, duke i mëshuar vetëm largimit të Ramës.

Kreu i opozitës pat deklaruar një javë më parë se me Ramën kryeministër dhe Tahirin ministër i Brendshëm, zgjedhjet e ardhshme janë në rrezik dhe se vendi duhet të shkojë drejt një qeverie me bazë të gjerë. Por zërat kundër në PD, ku më i fortë ishte ai i Genc Rulit një ditë më parë i cili theksoi se qeveritë teknike ndërtohen në situata krizash, ndërsa solli në vëmendje vitin 1991 dhe 1997, duket se kanë bërë që Basha të heqë dorë nga ky propozim. Por sërish mbete evaziv sesi e mendon ai largimin e Edi Ramës dhe zhvillimin e zgjedhjeve pa atë Kryeministër!