http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Raporti mes mazhorancës dhe Presidentit të Republikës ashpërsohet akoma më shumë. Partia Socialiste i është drejtuar zytarisht Gjykatës Administrative nga e cila kërkon pezullim dhe më pas shpalljen të pavlefshëm të dekretit presidencial për shpalljen e datës së zgjedhjeve të parakohëshme në Bashkinë Dibër. Socialistët argumentojnë se kreu i shtetit në vendimin e tij ka shkelur përcaktimet Kushtetutese sa i takon detyrimit për respektim të afateve për dekretimin e datës së zgjedhjeve. Sipas PS-së, edhe pse Gjykata Kushtetuese më datë 1 Gusht publikoi vendimin për rrëzimin e kërkesës së ish-kryebashkiakut Shukri Xhelili për rikthim në detyrë, kreu i shtetit do të duhej të priste publikimin në Fletoren Zyrtare të vendimit të Kushtetueses dhe jo të vepronte menjëherë. Argment të cilin e bëri publik dy ditë më parë deputetja socialiste Blerina Gjylameti. Por Kreu i Shtetit, pas pretendimeve të socialistëve, arsyetoi se vendimi i tij ka qenë tërësisht i ligjshëm dhe në respekt të Kodit Zgjedhor. Të njëjtin qendrim si President i Republikës mbajti edhe opozita, e cila vlerësoi se më dekretin e tij, Presidenti ka ushtruar detyrimin kushtetues, ndërkohë që kryeministri Rama ka dalë në mbrojtje të ish-kryebashkiakut Shukri Xhelili.