Një ditë pas goditjes për vdekje të një turisti rus në plazhin e Livadhit, në Himarë, policia ka arrestuar një 44-vjeçar nga Elbasani.
Ai është biznesmeni Fatmir Kuçi, pronar i një kompanie të fuqishme ndërtimi, "Victoria Invest" me qendër në Elbasan, e cila ka shtrirë aktivitetin e saj në tre shtete, Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni.
Biznesmeni i fuqishëm dispononte një motorskaf me tre motorë si dhe disa mjete të tjera lundrimi, të cilat u sekuestruan nga policia pasditen e djeshme. Mjetet ishin pa siguracion dhe dokumentacionin përkatës.
Fatmir Kuçi njihet dhe për lidhjet e tij me Partinë Demokratike dhe kryetarin e saj, Lulzim Basha, teksa figuron të jetë sponsor i disa fushatave elektorale të demokratëve.
Fatmir Kuçi u vu në prangat e Policisë së Vlorës, pasi ditën e djeshme rreth orës 11:00 në zonën bregdetare të quajtur "Livadh" i Himarës, ai ka qenë duke drejtuar mjetin lundrues tip skaf-plastik me mbishkrimin "Black Arrow".
Dyshohet se Kuçi ka dëmtuar aksidentalisht turistin rus Denis Kaiumov, i cili ka gjetur vdekjen për shkak të plagëve të marra, në spitalin e Himarës.
Policia ka sekuestruar dhe konfiskuar 2 mjete lundruese në përdorim dhe në pronësi të Kuçi-t, mjetin lundrues skaf-plastik me mbishkrimin "Black Arrow", 11.73 m i gjatë dhe 3.20 m i gjërë, me 3 motorë - 275 KF secili si dhe mjetin lundrues motor-deti me emrin "Viktoria-3", pa dokumentacion përkatës.
Burime pranë Policisë thanë për Shqiptarja.com se biznesmeni, nuk ka pasur miratimin për të dalë në lundrim. Sipas policisë Fatmir Kuçi nuk ka njoftuar policinë (të merrte leje) se do të dilte me për lundrim me ?skafin-plastik?, me mbishkrimin ?Black Arrow?.
Njoftimi për daljen në det, është procedurë detyruese ndaj policisë.