Report TV - Si merret një patentë skafi në Shqipëri në 10 ditë për 680 euro, motorët 2 ditë

2016-09-25 1

Aksidenti i rëndë në Himarë ku skafi i një biznesmeni i shkaktoi vdekjen një turisti nxjerr në pah sa e lehtë është të sigurosh një leje drejtimi skafi, barke apo motori uji në shqipëri dhe sa pak rregulla duhen zbatuar. Dëshmia e aftësisë për drejtim për mjetet e vogla lundruese deri 24 metra të gjata, lëshohet nga Drejtoria e Përgjithsme detare pas një kursi 10 ditor për 680 euro. Edhe me më pak kosto është leja e drjetimit të motorëve të ujit, e cila kushton vetëm 240 euro përmes një kursi dy ditor.

Çdo drejtues që zotëron apo ka në përdorim një mjet, duhet të pajiset edhe me lejen e lundrimit e cila i lëshohet të interesuarit brenda pesë ditëve nga data e paraqitjes së kërkesës. Pesë ditë nga leja e lundrimit i interesuari bën edhe regjistrimin e mjetit, pasi kryen zhdoganimin e tij. Edhe më të lehta janë procedurat për mjetet e matrikulluara jashtë shtetit, si rasti i skafit që shkaktoi vdekjen e turistit në Himarë, i cili rezulton i regjistruar në Maltë.

Pronarët e këtyre mjeteve thjesht duhet të deklarojnë me shkrim, në çastin e mbërritjes në port, praninë e tyre dhe arsyen e ardhjes, si dhe kohën e qëndrimit në ujërat territoriale shqiptare. Ndërkohë që kanë detyrim të deklarojnë me shkrim në zyrën e Policisë Kufitare planin e lundrimit në rastet kur ai parashikon tejkalimin e dy miljeve larg bregut, ose të 0,2 miljeve për Kanalin e Korfuzit.

Por problemi kryesor i këtyre mjeteve ka të bëjë me faktin nëse drejtuesit njohin apo jo legjislacionin shqiptar në lidhje me kushtet e sigurisë gjatë lundrimit në zonat e populluara nga plazhistë. Sipas ligjit shqiptar, përveç kushteve teknike në bord, Drejtuesit e skafeve deri 24 metra duhet të respektojnë një distance prëj 50 metrash nga motorët e ujit, dhe 100 metra nga notuesit.

Ndërsa për motorët e ujit, distanca më e afërt e lundrimit dhe e kryerjes së aktivitetit duhet të jetë 150 deri 200 metra nga bregu (në vartësi të thellësisë). Distanca maksimale e lundrimit nga bregu më i afërt për këto mjete lundruese të jetë jo më shumë se 2 milje për barkat dhe 1 milje për motorët e detit.

Ligji shqiptar përcakton gjithashtu një Trajnim bazë për përdorimin e mjetit lundrues. Përmes tij përdoruesit e mjeteve marrin njohuri të përgjithshme mbi zonën, kushtet e motit, rreziqet dhe afatin kohor të autorizuar, kushtet teknike të motorit, si dhe rripin e sigurisë që vihet në dorë për fikje automatike të motorit apo litarin e sigurisë (për skafet, jet ski dhe motorët e ujit).