Report TV - Raporti/ BSH dhe bankat private vodhën 21 mln euro nga thesari

2016-09-25 0

Një raport sekret i Kontrollit të Lartë të Shtetit, i mbërritur në Prokurorinë e Përgjithme dhe 5 institucione të tjera, hedh dritë mbi megaskandalin e vjedhjes së parave në Thesarin e Bankës së Shqipërisë. Raporti i hartuar nga 6 auditues, zbulon skemën e vjedhjes së parave, njëherësh hedh dritë mbi shifrën e saktë të vjedhjes, ku KLSH ka zbuluar se nuk bëhet fjalë për shifrën prej 713 milionë lekë të reja, siç deklaroi ish-guvernatori Fullani, por për 2.9 miliard lekë, e përkthyer kjo në 21 milion euro që mungonin në thesarin e Bankës së Shqipërisë. Kjo sasi lekësh nuk është vjedhur nga një person i vetëm por siç thonë audituesit në raport, në këtë skemë janë implikuar disa zyrtarë të bankës dhe drejtues të Bankave të Nivelit të Dytë, duke dyshuar se kanë përdorur dokumentacion fallco në procesin e dorëzimit të lekëve për shkatërrim. Kjo shifër është mbajtur sekret, me qëllimin e vetëm për të mos krijuar panik në tregun bankar, pasi publikimi i skemës së kësaj megavjedhje parashikohej të sillte në atë periudhë, tërheqjen e depozitave nga qytetarët dhe prishjen e ekulibrit bankar.Për shifrën e sipërcituar mësohet të ketë pasur dijeni dhe zyrtarë të FMN. Ky raport vijon të qëndrojë në Prokurorinë e Përgjithshme dhe se kjo e fundit asnjëherë nuk ka hetuar në këtë drejtim.