Report TV - Velipojë, makina bie në kanal vdesin 2 shqiptarë e 2 italianë

2016-09-20 3

Katër persona kanë humbur jetën në një aksident tragjik që ka ndodhur orët e para të mëngjesit të ditës së sotme në Velipojë. Viktimat janë Giorgio Angelo, 25 vjeç, Besmir Kola, 29 vjeç dhe Artemisa Peraj, 24 vjeç, ndërkohë që ende nuk dihet identiteti i personit të katërt.

Një makinë tip BMW me targa AA767HF në të cilën udhëtonin 2 shqiptarë dhe 2 italianë ka rënë në kanalin e Vilunit.

Mësohet se makina ka rënë në kanal në orën 04:00 të mëngjesit dhe reagimi ka qenë pamundur për shoferin dhe pasagjerët duke humbur jetën menjëherë.

Niveli i ujit është i konsiderueshëm në kanalin e Vilunit dhe kjo ka bërë që shoferi me 3 pasagjerët të mbyten.

Policia është njoftuar mëngjesin e sotëm për aksidentin nga kalimtarët dhe mbërritur menjëherë në vendin e ngjarjes, ku ka nisur punën për nxjerrjen e trupave nga kanali i Vilunit ku përfundoi makina.

Sipas raportimeve të para shkak i aksidentit është bërë rruga e pa asfaltuar, e cila është burim i shpeshtë i aksidenteve, por edhe mungesa e ndriçimit në këtë pjesë të rrugës.