Report TV - Meta takon Bashën: Vettingu miratohet brenda muajit gusht

2016-09-20 0

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha takoi pasditen e kësaj të hëne në Kryesinë e Kuvendit për rreth 60 minuta, kryeparlamentarin Ilir Meta.

Kreu i PD shoqërohej në këtë takim nga nënkryetari i komisionit të reformës në drejtësi, Oerd Bylykbashi, ndërsa Meta nga Sekretarja e Përgjithshme e Kuvendit, Albana Shtylla si dhe ministrja e Integrimit Europian, Klajda Gjosha.

Ndërkohë, përmes një njoftimi për mediat, Kuvendi ka zbardhur takimin mes Bashës dhe Metës. Sipas zyrës së shtypit pranë Kuvendit, "Meta u konsultua me Bashën për mënyrën e miratimit sa më të shpejtë dhe me konsensus të Ligjit për Vettingun".

"Gjatë takimit, Kryetari i Kuvendit informoi bashkëbiseduesit mbi bisedimet që ka pasur me Kryetarin e Komisionit të Posaçëm të Reformës në Drejtësi, z. Fatmir Xhafaj, Ambasadorin e SHBA, z. Donald Lu, Ambasadoren e BE, znj. Romana Vlahutin mbi domosdoshmërinë e miratimit të Ligjit për Vettingun brenda muajit gusht.

Në takim u dakortësua në parim nevoja për miratimin me përparësi, brenda muajit gusht të Ligjit për Vettingun, si dhe mbi kalendarin e shqyrtimit të këtij ligji sipas procedurave kushtetuese parlamentare, duke filluar nga dita e nesërme me mbledhjen zyrtare të Komisionit të Posaçëm për Reformën në Drejtësi.

Kryetari i Opozitës, z. Lulzim Basha deklaroi se mbështet këtë kalendar dhe se opozita do të marrë pjesë aktive dhe konstruktive në Komisionin e Posaçëm, duke filluar me prezantimin e komenteve të saj për Ligjin e Vettingut në mbledhjen e ditës së nesërme.

Gjithashtu, Kryetari i Partisë Demokratike shprehu gatishmërinë për të avancuar edhe me ligjet e tjera, sapo anëtarët dhe ekspertët e opozitës të njihen me draftet më të fundit të përgatitura nga Komisioni i Posaçëm, veçanërisht Ligji për Prokurorinë Speciale dhe Ligji për Organet e Qeverisjes së Gjyqësorit.

Bashkëbiseduesit ndanë qëndrimin për nevojën e miratimit sa më të shpejtë me konsensus dhe cilësi të lartë të këtyre ligjeve, në përputhje me përcaktimet e Kushtetutës së Re dhe Opinionit Final të Komisionit të Venecias.

Në këtë takim morën pjesë dhe Ministrja e Integrimit Evropian, znj. Klajda Gjosha dhe Sekretarja e Përgjithshme e Kuvendit, znj. Albana Shtylla", thuhet në zyrën e njoftimin e Kuvendit.

Më herët, Meta takoi ish-presidentin Rexhep Meidani, dhe ish deputetin e PS, Koço Kokëdhima, ku midis të tjerave u diskutua edhe për situatën politike që po kalon vendi.

Free Traffic Exchange