Report TV - Si do ta hetojë DSIK e SHISH të shkuarën e të tashmen e drejtësisë?

2016-09-20 3

Roli i DSIK (Drejtoria e Sigurisë së Informacionit të Klasifikuar) në verifikimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve është një ndër pikat më të forta të kundërshtuara nga PD në ligjin e vettingut. Por si do të hetojë kjo drejtori pranë kryeministrit së bashku me institucionet e tjera inteligjente të shkuarën dhe pastërtinë e figurës së njerëzve të drejtësisë?

Sipas nenit 32 të ligjit të vettingut, Drejtoria e Sigurisë së Informacionit të Klasifikuar (DSIK), Shërbimi Informativ Shtetëror (SHISH)dhe Shërbimi i Kontrollit të Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave (SHÇBA) pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme, krijojnë një grup pune të posaçëm për zbatimin e këtij ligji. Madje sipas ligjit këto struktura mund të caktojnë personel shtesë për të mbështetur grupin e punës për jo më pak se 1 vit.

DSIK me kërkesë të grupit të punës ose të institucioneve të rivlerësimit, ka të drejtë të komunikojë me shtetet e tjera për të marrë informacionin mbi gjyqtarët dhe prokurorët e përfshirë në krimin e organizuar.

Ky grup pune sipas ligjit të vettingut që do të shqyrtohet të martën në komisionin e posaçëm të reformës në drejtësi, do të verifikojë identitetin e saktë. Në të shkuarën dhe të tashmen, për çdo gjyqtar e prokuror.

Po ashtu pjesë e detyrës së tij është dhe verifikimi nëse rezulton i dënuar për vepra penale ose ka tendenca kriminale për përfshirjen në krimin e organizuar, vlerësimi i përgjithshëm, nëse individi mund të vihet nën presion nga struktura kriminale, kontrolli nëse ka qenë, është ose tenton të angazhohet fshehurazi, vetëm, në bashkëpunim, ose në përbërje të një organizate kriminale.

Free Traffic Exchange